PARIS JACKSON NË QENDËR TË NJË BETEJE LIGJORE PËR PASURINË E MICHAEL JACKSON
Written by radio wave on October 16, 2025
Në një kthesë dramatike ligjore që ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore, dosjet e reja gjyqësore të datës 9 tetor zbulojnë se vajza e Michael Jackson, Paris Jackson, ka përfituar rreth 55 milionë euro nga pasuria e të atit – një prej pasurive më të mëdha të historisë së showbiz-it.
Sipas revistës People, këto detaje dolën në dritë pas një kërkese të paraqitur nga ekzekutorët e pasurisë së këngëtarit, në kuadër të kundërpërgjigjes ndaj një padie të ngritur nga vetë Paris, e cila kërkon më shumë transparencë dhe kontroll mbi mënyrën se si po menaxhohet trashëgimia e babait të saj. Ajo dyshon se gjatë vitit 2018 janë bërë “pagesa bonus” të pajustifikuara dhe në shkelje të rregullave gjyqësore.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë thuhet se:
“Pak veta përfituan më shumë nga puna e ekzekutorëve sesa vetë kërkuesja, e cila mori afërsisht 55 milionë euro nga pasuria. Ajo nuk do të kishte marrë këtë shumë nëse ekzekutorët do të kishin ndjekur një procedurë të zakonshme të administrimit të pasurisë që prej vitit 2009.”

Ekzekutorët e pasurisë pretendojnë se kanë transformuar një perandori financiare dikur të zhytur në borxhe në një markë globale të qëndrueshme dhe fitimprurëse. Në dokumente përmendet edhe një deklaratë e gjyqtarit që mbikëqyr çështjen:
“Vendimi i ekzekutorit për të riorganizuar pasurinë, që fillimisht kishte detyrime të shumta, ka çuar në një rritje të vlerës së saj në mbi dy miliardë euro.”
Nga ana tjetër, Paris Jackson ngriti një peticion më herët këtë vit, duke kundërshtuar pagesat prej 600 mijë eurosh që, sipas saj, u dhanë si “dhurata” dhe “bakshishe” të pajustifikuara për dy firma ligjore. Dokumentet e datës 24 qershor theksojnë se këto pagesa janë bërë në kundërshtim me një urdhër gjykate që lejonte vetëm kompensime të pjesshme, në pritje të miratimit të plotë ligjor.
Në përgjigjen e 9 tetorit, ekzekutorët kanë mohuar çdo shkelje dhe kanë theksuar se çdo pagesë është bërë në përputhje me detyrimet ligjore dhe me miratimet e nevojshme.
Ndërsa beteja ligjore vazhdon, mbetet e qartë se përfitimet financiare të Paris Jackson nga pasuria e të atit janë të konsiderueshme, dhe çështja pritet të hedhë dritë mbi mënyrën se si menaxhohen trashëgimitë e figurave ikonike të industrisë së muzikës.