Current track

Title

Artist

Programi i Financimi per Startupet 2026: dyfishohet fondi dhe startup-et e financuara, 163 startup-e mbështeten me 600 milionë lekë

Written by on August 28, 2026

Tiranë, gusht 2026

Innovation4Albania (I4A), agjencia shtetërore në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ka shpallur rezultatet e Programit të Financimit Grant 2026, në kuadër të thirrjes më të madhe të këtij programi që nga krijimi i tij.

Në përmbushje të angazhimit publik të Qeverisë Shqiptare, fondi i programit është dyfishuar, nga 300 në 600 milionë lekë, ndërsa numri i startup-eve të mbështetura është rritur nga 81 në vitin 2025, në 163 në vitin 2026.

Ky është investimi më i madh i bërë deri më tani nga Qeveria Shqiptare për mbështetjen e startup-eve dhe inovacionit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e një ekonomie të mbështetur te sipërmarrja, teknologjia dhe inovacioni.

Interesi për programin ka shënuar një nivel rekord, me 1,179 aplikime të paraqitura nga startup-e në të gjithë vendin. Rezultatet tregojnë gjithashtu shtrirjen në rritje të ekosistemit të startup-eve në nivel kombëtar, me biznese inovative të financuara nga të gjitha qarqet e Shqipërisë.

Krahasuar me thirrjen e kaluar, vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të përfituesve nga qytetet jashtë Tiranës. Vlora kryeson me 8 startup-e të financuara, e ndjekur nga Shkodra me 7. Për herë të parë, edhe qarqet e Beratit dhe Kukësit janë pjesë e hartës së startup-eve të financuara, duke dëshmuar shtrirjen e ekosistemit në të gjithë territorin e vendit.

Startup-et e mbështetura operojnë në sektorë me rëndësi strategjike për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, duke përfshirë Teknologjinë e Informacionit dhe Inteligjencën Artificiale, Mjedisin, Energjinë, Agribiznesin, Turizmin dhe zgjidhjet digjitale.

Programi konfirmon gjithashtu lidhjen gjithnjë e më të fortë me diasporën shqiptare. Në mesin e përfituesve janë 18 themelues që jetojnë në qytete të ndryshme të botës, mes tyre Mynih, San Francisko, Vjenë, Londër, Mançester dhe Romë. Ata sjellin në ekosistemin shqiptar eksperiencën e tyre ndërkombëtare, rrjetet profesionale dhe kapitalin njerëzor.

Një risi e Programit të Financimit Grant 2026 është edhe mbështetja për 8 organizata lehtësuese të ekosistemit, të përzgjedhura mes 40 aplikimeve. Këto organizata do të ofrojnë mbështetje teknike, mundësi rrjetëzimi dhe ekspertizë sektoriale për startup-et, veçanërisht në fusha si Inteligjenca Artificiale, ekonomia e gjelbër dhe ekonomia digjitale.

Zhvillimi i ekosistemit shqiptar të startup-eve është reflektuar edhe në renditjet ndërkombëtare. Sipas renditjes më të fundit të StartupBlink, Shqipëria u vlerësua e katërta në Evropë për rritjen e ekosistemit të startup-eve, duke u ngjitur me 8 vende në renditjen globale dhe duke u pozicionuar aktualisht në vendin e 75-të në botë.

Shqipëria shënoi një rritje vjetore prej 71.1%, një nga normat më të larta në Evropë dhe e treta më e lartë në botë. Tirana, në veçanti, u ngjit me 17 vende në renditjen e qyteteve, me një rritje prej 40.5%, duke u renditur si qyteti i tretë me rritjen më të madhe në Ballkan.

Lista e plotë e përfituesve, shpërndarja sipas qarqeve dhe të dhënat kryesore të Programit të Financimit Grant 2026 janë publikuar në faqet zyrtare të Startup Albania dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Rreth Programit të Financimit Grant 2026

Programi Kombëtar i Financimit Grant 2026 mbështetet nga Qeveria Shqiptare, përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe zbatohet nga Agjencia Innovation4Albania.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist