Ronaldo dhe georgina drejt altarit?
Written by radio wave on August 3, 2026
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez janë sërish në qendër të vëmendjes, pasi mediat britanike raportojnë se çifti mund të kurorëzojë dashurinë me martesë fundjavën e ardhshme në Madeira, vendlindja e legjendës portugeze.
Sipas raportimeve, ceremonia pritet të zhvillohet në Katedralen e Funchalit, ndërsa festa do të organizohet në hotelin luksoz Savoy Palace. Burime pranë organizimit pretendojnë se për këtë rast janë rezervuar disa kate dhe ambiente të hotelit për dy ditë radhazi, duke shtuar edhe më shumë zërat për një ceremoni të madhe.
Fillimisht u përfol se dasma do të mbahej në pronën historike Quinta da Regaleira në Sintra, por ky skenar u hodh poshtë pasi destinacioni ishte i hapur për vizitorët gjatë fundjavës.
Madeira shihet si një zgjedhje me domethënie të veçantë për Ronaldon, i cili është rritur në Funchal dhe nuk e ka fshehur kurrë lidhjen e fortë me vendlindjen. Pikërisht aty ai ka investuar edhe në bizneset e tij, ndërsa qyteti e ka nderuar me një statujë.
Dyshimet janë shtuar edhe më shumë pas fotove të fundit të publikuara nga pushimet e çiftit në Portugali, ku Ronaldo dhe Georgina shfaqen me unaza të mëdha diamanti. Megjithatë, deri tani asnjëri prej tyre nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse dasma e shumëpërfolur do të zhvillohet vërtet.