Sherr në restorant? Dalin prapaskenat e forta te Milani
Written by radio wave on May 29, 2026
Milani po kalon një nga periudhat më kaotike të viteve të fundit dhe pas largimeve të bujshme nga klubi, mediat italiane kanë nisur të zbulojnë prapaskena që deri tani kishin mbetur të fshehta.
Sipas raportimeve nga Italia, tensionet mes Massimiliano Allegrit dhe Zlatan Ibrahimoviçit kishin shpërthyer prej muajsh, madje situata kishte degraduar deri në një përplasje fizike në një restorant.
Gazetarja Monica Colombo e “Corriere della Sera” ka zbuluar se incidenti ndodhi rreth tre muaj më parë, në prani të drejtuesve të klubit, ku mes të pranishmëve ishin edhe Giorgio Furlani dhe Igli Tare.
Sipas saj, debati mes Allegrit dhe Ibrahimoviçit doli jashtë kontrollit, aq sa Igli Tare u detyrua të ndërhynte fizikisht për të ndarë dyshen.
“Marrëdhënia mes tyre ishte krisur prej kohësh. Situata shpërtheu në një restorant dhe Tare u fut në mes për t’i ndarë”, thuhet në raportimin që po bën bujë në mediat sportive italiane.
Burimet pranë klubit pretendojnë se Ibrahimoviç prej muajsh nuk është parë më pranë dhomave të zhveshjes apo ambienteve të skuadrës, ndërsa komunikimi mes tij dhe Allegrit thuhet se kishte ndërprerë totalisht.
Një nga debatet e fundit mes tyre lidhej me zgjedhjen e portierit të tretë për sezonin e ardhshëm, por sipas mediave italiane, ky ishte vetëm një pretekst që ringjalli konfliktet e vjetra.
Në sfond të gjithë kësaj historie përmendet edhe Antonio Cassano, një nga kritikët më të mëdhenj të Allegrit, me të cilin Ibrahimoviç thuhet se kishte kontakte të vazhdueshme, gjë që mund të ketë shtuar edhe më shumë tensionet.
Pas “tërmetit” në klub dhe largimit të emrave të rëndësishëm, atmosfera në Milanelo duket më e tensionuar se kurrë, ndërsa prapaskenat që po dalin në dritë po trondisin tifozët kuqezi.