Shqipëria feston medaljen e parë të artë në Taranto 2026
Written by radio wave on August 25, 2026
Shqipëria ka regjistruar një sukses të rëndësishëm në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke siguruar medaljen e parë të artë falë mundësit Islam Dudaev.
Dudaev triumfoi në kategorinë deri në 74 kilogramë në stilin e lirë, pasi kundërshtari i tij në finale, Fati Vejseli i Maqedonisë së Veriut, u detyrua të tërhiqej për shkak të një dëmtimi. Në momentin e ndërprerjes së duelit, Dudaev ishte në avantazh.
Mundësi me origjinë nga Dagestani garon për Shqipërinë që prej vitit 2022 dhe ka një karrierë të pasur ndërkombëtare, përfshirë edhe medaljen e bronztë olimpike.
Shqipëria siguroi gjithashtu medaljen e argjendtë me Zelimkhan Abakarov, i cili u rendit i dyti në kategorinë deri në 65 kilogramë, ndërsa Ardit Zeneli fitoi medaljen e bronztë në stilin greko-romak.
Me këto rezultate, Shqipëria numëron një medalje të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë, duke e nisur në mënyrën më të mirë paraqitjen në “Taranto 2026”. Një sukses që meriton duartrokitje për të gjithë delegacionin kuqezi.