Silvana Rusi në Radio Wave: “Ja ku jam”
Written by radio wave on October 22, 2025
Sot në studion e Radio Wave 108 FM ishte e ftuar këngëtarja e njohur Silvana Rusi, e cila ndau emocionet e saj për projektin më të ri muzikor, “Ja Ku Jam”, konkuruese në Kënga Magjike 2025.
Silvana rrëfeu se rikthimi në këtë festival pas plot 8 vitesh ishte një vendim i menduar mirë dhe i mbushur me energji të reja artistike. “Desha të sillja diçka të kuruar nga vetja, me përvojën që kam sot dhe me një shpirt të freskët krijues,” – u shpreh ajo.

Kënga “Ja Ku Jam” është realizuar në bashkëpunim me producentin e njohur Darko Dimitrov, ndërsa për imazhin dhe stilin e saj është kujdesur Joni Peçi, të cilin Silvana e cilësoi “stilistin më të dashur dhe profesionist të vërtetë”.
Artistja zbuloi se projekti ka pasur një investim të konsiderueshëm, me vlerë që në këtë fazë i kalon 20 mijë euro, ndonëse ajo preferoi të mos e zbulojë shifrën e saktë.
Teksti i këngës është motivues dhe frymëzues, duke u kushtuar të gjithë atyre që kanë kaluar sfida në marrëdhënie, janë rrëzuar emocionalisht, por kanë gjetur forcën për t’u ngritur përsëri.

Një detaj që tërhoqi shumë vëmendje ishte performanca skenike me balerinët me brirë, për të cilët Silvana sqaroi:
“Ata simbolizojnë energjinë e keqe që për fat të keq rrethon njerëzit shpesh, por edhe forcën për ta mposhtur atë me dritë dhe dashuri.”
E qeshur, e sinqertë dhe plot energji, Silvana Rusi la një mesazh të qartë për publikun:
“Pas çdo rënieje, mund të thuash sërish ‘Ja ku jam’.”