Current track

Title

Artist

Vetëm 13 vjeç dhe Arena di Verona në këmbë për të: shqiptaro-kanadezja Isabel Eve po mahnit Europën

Written by on May 21, 2026

Një zë i vogël në moshë, por gjigant në skenë. Isabel Eve, sopranoja shqiptaro-kanadeze vetëm 13 vjeç, po kthehet në një nga emrat më të përfolur të muzikës klasike në Europë, ndërsa rrugëtimi i saj artistik po merr përmasa që pak kush do t’i imagjinonte në këtë moshë.

Talenti i ri shkëlqeu në edicionin e dytë të “La Grande Sfida – InConTrArti 2026”, spektakli madhështor i zhvilluar në ikoniken Arena di Verona, ku Isabel Eve ndau skenën me disa nga figurat më të njohura të artit italian.

Në një mbrëmje të prezantuar nga Amadeus, mes emrave si Francesco Renga dhe Paolo Ruffini, sopranoja e re u ngjit solo në një nga arenat më prestigjioze në botë, duke emocionuar publikun me performancën e saj.

Interpretimi i saj, i shoqëruar nga Orchestra Ritmico Sinfonica Italiana nën drejtimin e maestros Diego Basso, solli në skenë magjinë e muzikës së Ennio Morricone dhe u prit me duartrokitje të gjata nga publiku italian.

Vetëm pak ditë pas performancës, mediat italiane nisën ta cilësonin Isabel Eve si një nga talentet më premtuese të brezit të ri në muzikën lirike dhe klasike.

Por historia e saj nuk nisi në Verona. E lindur në Kanada më 24 dhjetor 2012, Isabel u rrit mes tingujve të muzikës klasike dhe admirimit për Andrea Bocelli. Familjarët tregojnë se ajo e dëgjonte çdo ditë Bocellin dhe përpiqej të imitonte interpretimet e tij, derisa talenti i saj tërhoqi vëmendjen e mësuesve të muzikës.

Që në moshë shumë të vogël, ajo tregoi një timbër të rrallë vokal dhe një ndjeshmëri artistike që u vlerësua menjëherë nga profesionistët. Krahas vokalit, Isabel nisi edhe studimet për piano, ndërsa formimi i saj artistik mori një tjetër nivel nën kujdesin e kompozitorit italian Fio Zanotti dhe sopranos shqiptare Ulpjana Aliaj.

Në vitin 2022, vetëm 9 vjeç, ajo fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar “Hybla Music Contest” në Siçili me arien ikonike “O mio babbino caro” të Giacomo Puccini, duke konfirmuar publikisht talentin e saj të jashtëzakonshëm.

Që prej atij momenti, Isabel Eve ka performuar në skena të rëndësishme europiane si Teatro di Bologna, Teatro di Ferrara dhe Casa Sanremo, ndërsa rrugëtimi i saj artistik është shtrirë nga Italia në Berlin, Belgjikë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në këtë rrugë ajo ka bashkëpunuar edhe me emra të njohur shqiptarë të muzikës klasike si pianistja Elda Laro dhe sopranoja Inva Mula, duke ndërtuar dalëngadalë profilin e një artisteje që premton shumë për të ardhmen.

Dhe nëse Arena di Verona ishte vetëm një hap në këtë rrugëtim, duket se Isabel Eve sapo ka nisur të pushtojë skenat më të mëdha të botës.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist