Alarm për Bellingham para duelit me Argjentinën…sipas mediave argjentinase
Written by radio wave on July 14, 2026
Jude Bellingham ka qenë një nga figurat kryesore të Anglisë në këtë Kupë Bote, por vetëm pak ditë para përballjes së madhe me Argjentinën kanë nisur shqetësimet për gjendjen e tij fizike.
Mediet argjentinase kanë ngritur dyshime se ylli i Real Madridit mund të jetë duke luajtur me një problem në shpatull, pasi në pamjet pas ndeshjes së fundit mesfushori anglez është parë duke prekur dhe mbajtur të njëjtën zonë, duke dhënë shenja shqetësimi.
Gazetarët e “TyC Sports” vunë re se Bellingham kishte trajtuar shpatullën edhe gjatë ndeshjes, duke shtuar dyshimet për një shqetësim të mundshëm para gjysmëfinales së shumëpritur që do të zhvillohet në Atlanta.
Megjithatë, kjo nuk është një zonë e panjohur për futbollistin 22-vjeçar. Bellingham ka kaluar më herët probleme me shpatullën dhe verën e kaluar iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të rikuperuar një dëmtim të pësuar më parë. Shenja e operacionit ende është e dukshme dhe është vërejtur edhe gjatë grumbullimit të Kombëtares së Anglisë.
Pavarësisht shqetësimeve, pritshmëritë janë që Bellingham të jetë në formacionin titullar ndaj Argjentinës, në një sfidë ku Anglia kërkon të rikthehet në finalen e Kupës së Botës pas gjashtë dekadash.
Mesfushori i Real Madridit po zhvillon një turne të jashtëzakonshëm, me gjashtë gola në gjashtë ndeshje, duke u renditur mes kandidatëve kryesorë për çmimin e lojtarit më të mirë të Botërorit dhe “Këpucën e Artë”.
Në çerekfinale, Bellingham ishte përsëri vendimtar, duke udhëhequr përmbysjen e Anglisë me dy gola dhe duke vulosur një tjetër paraqitje të madhe në rrugëtimin drejt trofeut.
Me të në formën aktuale, “Tre Luanët” shihen si një nga skuadrat më të rrezikshme të turneut, ndërsa përballja me Argjentinën pritet të jetë një nga ndeshjet më të mëdha të këtij Botërori.