MrBeast i jep fund beqarisë
Written by radio wave on July 22, 2026
Jimmy Donaldson, i njohur në mbarë botën si MrBeast, ka kurorëzuar dashurinë me partneren e tij, Thea Booysen, në një ceremoni private larg vëmendjes së publikut.
Dasma u zhvillua në ishullin ekskluziv Necker, pronë e miliarderit Richard Branson, ku çifti zgjodhi të festonte me një rreth të ngushtë familjarësh dhe miqsh. Në ceremoni morën pjesë rreth 70 të ftuar, ndërsa festimet u shtrinë për disa ditë në një atmosferë të qetë dhe elegante.
Edhe pse njihet për spektaklet gjigante dhe videot me buxhete marramendëse, MrBeast vendosi që dita më e rëndësishme e jetës së tij të ishte krejt ndryshe. Ai shmangu ekspozimin mediatik dhe preferoi një organizim intim, duke respektuar dëshirën që kishte shprehur prej kohësh së bashku me partneren.
Thea Booysen u shfaq me një fustan elegant të dizenjuar nga Nicole Felicia, ndërsa MrBeast zgjodhi një smoking klasik Ralph Lauren. Pas ceremonisë, të ftuarit festuan me një darkë festive dhe muzikë, në një ambient luksoz, por larg kamerave.
Historia e tyre e dashurisë nisi në vitin 2022 në Afrikën e Jugut. Dyshja e bëri publike lidhjen pak kohë më vonë, ndërsa në Krishtlindjet e vitit 2024 erdhi propozimi për martesë. Që prej asaj kohe, ata kishin deklaruar se ëndrra e tyre ishte një dasmë e vogël, private dhe larg zhurmës së famës, dëshirë që tashmë është bërë realitet.