Pushimet “pa limite” marrin fund? Tajlanda godet turistët me rregulla të reja
Written by radio wave on May 20, 2026
Parajsa aziatike që prej vitesh ka qenë ëndrra e miliona turistëve, tani po vendos frenat. Tajlanda ka vendosur të ashpërsojë rregullat për hyrjen e të huajve, duke përgjysmuar qëndrimin pa vizë nga 60 në vetëm 30 ditë për qytetarët e më shumë se 90 vendeve.
Vendimi vjen pas shqetësimeve në rritje për turistë që, sipas autoriteteve, kanë nisur të abuzojnë me sistemin. Disa prej tyre dyshohet se kanë qëndruar ilegalisht në vend, ndërsa të tjerë kanë hapur biznese apo kanë punuar pa dokumentacionin përkatës.
Qeveria tajlandeze duket se po tenton të vendosë një ekuilibër mes fitimeve marramendëse nga turizmi dhe rritjes së kontrollit ndaj të huajve që hyjnë në vend.
Për vite me radhë, Tajlanda është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për pushime të gjata, nomadë digjitalë dhe influencerë nga e gjithë bota. Por tani, autoritetet po dërgojnë një mesazh të qartë: pushimet po, por jo pa rregulla.
Lëvizja e re pritet të ndikojë sidomos tek turistët që kalonin muaj të tërë në ishujt tropikalë apo qytetet e famshme si Bangkok dhe Phuket, duke përdorur lehtësitë e vizave për qëndrime afatgjata.