Rita Ora i rikthehet “Becky”-t: “Do të doja të dija kush e nisi”
Written by radio wave on August 31, 2026
Rita Ora ka rikthyer në vëmendje një prej thashethemeve më të bujshme të karrierës së saj, atë që e lidhi vite më parë me “Becky with the good hair”, personazhin misterioz të përmendur nga Beyoncé në këngën “Sorry”.
Spekulimet shpërthyen në vitin 2016, kur fansat interpretuan disa detaje në postimet e Ritës si “shenja” që ajo mund të ishte personi i përfolur. Në qendër të teorive ishte një fotografi ku këngëtarja shfaqej me të brendshme me motive limoni dhe një varëse që fansat menduan se kishte shkronjën “J”.
Situata mori një tjetër kthesë kur Rita u shfaq në një festë pas Met Gala me një karficë ku shkruhej “Not Becky”, duke ushqyer edhe më shumë diskutimet në rrjet.
Por Rita ka mohuar vazhdimisht se kishte ndonjë lidhje me historinë e përmendur në këngë. Në një intervistë të fundit, ajo pranoi se ende do të donte të dinte se kush e kishte nisur këtë teori.
Këngëtarja sqaroi gjithashtu misterin e varëses, duke thënë se ajo nuk kishte shkronjën “J”, siç pretendonin fansat, por “R” dhe se këndi i fotografisë e kishte bërë atë të dukej ndryshe.
Sipas Ritës, gjithçka ishte thjesht një rastësi dhe ajo nuk e kishte menduar aspak se një fotografi e saj do të shkaktonte një valë të tillë spekulimesh.
Artistja kritikoi gjithashtu mënyrën se si historia u kthye në një përplasje mes dy grave, duke theksuar se një situatë e tillë nuk i shërbente askujt.
Edhe pse kanë kaluar rreth dhjetë vite, misteri i “Becky with the good hair” vazhdon të jetë një nga historitë më të diskutuara të kulturës pop, ndërsa Rita Ora duket se ende nuk ka ndërmend të pranojë një rol që thotë se nuk ka qenë kurrë i saji.