Shakira turpëron kombëtaren e Italisë?
Written by radio wave on June 12, 2026
Një postim i publikuar nga tabloidi britanik “The Sun” ka ndezur rrjetin dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes mungesën e Italisë në Botërorin 2026.
Media britanike krahasoi superyllin e muzikës Shakira me talentin italian Pio Esposito, duke shoqëruar fotot e tyre me një koment që u bë menjëherë viral. Sipas postimit, këngëtarja kolumbiane ka qenë e pranishme në më shumë Kampionate Botërore gjatë dy dekadave të fundit sesa vetë kombëtarja italiane.
Ironia lidhet me faktin se Shakira ka qenë pjesë e disa edicioneve të Kupës së Botës përmes himneve zyrtare dhe performancave spektakolare, ndërsa Italia ka dështuar të jetë e pranishme në disa prej turneve më të rëndësishëm të viteve të fundit.
Postimi ka shkaktuar reagime të shumta mes tifozëve të futbollit, ku shumë e kanë cilësuar si një thumbim të ashpër ndaj një prej kombëtareve më të suksesshme në histori.
Pavarësisht katër trofeve të Botës në palmares, mungesat e njëpasnjëshme në skenën më të madhe të futbollit vazhdojnë ta bëjnë Italinë objekt kritikash dhe batutash në mediat ndërkombëtare.