Tom Holland thyen rekord me Spider-Man, ja sa pritet të fitojë nga filmi
Written by radio wave on August 6, 2026
Tom Holland pritet të regjistrojë fitimin më të madh të karrierës së tij si Spider-Man. Sipas raportimeve, aktori britanik do të përfitojë mes 20 dhe 25 milionë dollarë për filmin më të ri, “Spider-Man: Brand New Day”, një shumë që përfshin honorarin bazë dhe bonuset e lidhura me suksesin në kinema.
Filmi ka nisur me një debutim spektakolar, duke vendosur rekorde të reja në arkat amerikane dhe duke kaluar shifrat e fundjavës së hapjes të “Avengers: Endgame”. Në vetëm gjashtë ditë shfaqjeje, produksioni ka gjeneruar mbi 1 miliard dollarë të ardhura në mbarë botën, duke u bërë një nga filmat më të suksesshëm në historinë e Marvel.
Rritja e Holland ka qenë e jashtëzakonshme që nga debutimi i tij në Universin Kinematografik të Marvel në vitin 2016. Nga një pagesë prej rreth 250 mijë dollarësh për paraqitjen e parë si Spider-Man, ai ka arritur sot të jetë ndër aktorët më të paguar të studios.
Për krahasim, Andrew Garfield dhe Tobey Maguire fituan shumë më pak në filmat e tyre të parë si superheroi legjendar, ndërsa Holland tashmë ka kaluar shumicën e paraardhësve të tij për sa i përket honorareve.
Përveç Tom Holland, në “Spider-Man: Brand New Day” rikthehet edhe Zendaya, ndërsa kastit i bashkohet edhe Sadie Sink. Me ritmin aktual të arkëtimeve, filmi pritet të vazhdojë të dominojë kinematë dhe të forcojë pozicionin e tij si një nga hitet më të mëdha të vitit.