Tronditet showbizi turk, gjendet i pajetë aktori i njohur i “Ezel”
Written by radio wave on September 7, 2026
Industria turke e kinematografisë dhe televizionit është përfshirë nga një lajm i trishtë. Aktori Serhat Mustafa Kiliç, i njohur për publikun edhe nga seriali i suksesshëm “Ezel”, është gjetur pa shenja jete në apartamentin e tij në Kağıthane të Stambollit. Ai ishte 51 vjeç.
Sipas raportimeve të mediave turke, aktori nuk kishte komunikuar me partneren e tij prej disa ditësh. E shqetësuar nga mungesa e kontaktit, ajo shkoi në banesën e tij, ku e gjeti Kiliç të shtrirë dhe pa reagim në divan.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet mjekësore dhe policia, të cilat konfirmuan vdekjen e aktorit. Megjithatë, rrethanat e sakta të ndarjes së tij nga jeta ende nuk janë bërë të ditura.
Sipas informacionit të dhënë nga partnerja e tij autoriteteve, Kiliç vuante nga limfoma. Ndërkohë, disa media turke kanë raportuar se aktori kishte pasur gjithashtu probleme me gjëndrën tiroide, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar që ndonjë prej këtyre problemeve shëndetësore lidhet drejtpërdrejt me vdekjen e tij.
Lajmi ka shkaktuar dhimbje dhe reagime të shumta në botën e artit turk. Serhat Mustafa Kiliç do të kujtohet nga publiku për disa role gjatë karrierës së tij, ndërsa pjesëmarrja në “Ezel” e bëri të njohur edhe përtej kufijve të Turqisë.