EKIPI QË ZBULLOI GRABITJEN E KIM KARDASHIANIT KTHEHET NË AKSION PËR “VJEDHJEN E DEKADËS” NË LUVËR!
Written by radio wave on October 21, 2025
Bota e artit dhe showbiz-it është në alarm! Pas grabitjes spektakolare në muzeun e Luvrit, qeveria franceze ka rikthyer në skenë ekipin legjendar që zbuloi grabitjen e famshme të Kim Kardashianit në Paris, në vitin 2016.
Sipas Reuters, Brigada kundër Banditizmit (BRB) – ekipi me rreth 100 agjentë që dikur gjurmoi hajdutët e Kardashianit – është angazhuar tani për të zbuluar autorët e asaj që po quhet “vjedhja e dekadës”. Mbi një duzinë prej tyre janë të specializuar pikërisht në grabitjet e muzeve, dhe hetuesit pritet të punojnë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të rikuperuar bizhuteritë e rralla të zhdukura nga Luvri.

Eksperti i artit Arthur Brand paralajmëroi se java e parë është kritike. “Këto bizhuteri janë aq të famshme sa nuk mund të shiten. E vetmja mundësi është t’i shkrijnë ose t’i copëtojnë – dhe atëherë do të zhduken përgjithmonë”, tha ai për Sky News. Brand e përshkroi operacionin si një garë me kohën, duke shtuar se teoritë për një “koleksionist misterioz” që i porositi vjedhjet janë “qesharake”.
Në të njëjtën kohë, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë për një valë të re grabitjesh në Evropë, ku muzetë po bëhen shënjestra të bandave të organizuara që synojnë ar dhe gurë të çmuar. Vetëm në dy muajt e fundit, Franca ka regjistruar katër vjedhje të mëdha në muze, përfshirë edhe atë në Muzeun e Historisë Natyrore në Paris.

Christopher Marinello nga Art Recovery International i tha Reuters se “është e pamundur të sigurosh plotësisht një muze”, dhe e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur është të ngadalësohet koha e arratisjes së hajdutëve. “Nëse arratisja zgjat më shumë se gjashtë minuta, ata e lënë misionin,” u shpreh ai.

Me një histori që përzien artin, luksin dhe misterin, kjo grabitje ka marrë tashmë një status thuajse kinematografik — dhe fakti që në hetim është rikthyer i njëjti ekip që kapi hajdutët e Kim Kardashianit vetëm sa e bën historinë edhe më të bujshme.
Hollywood-i s’ka pse të kërkojë larg për skenarin e radhës: drama, bizhuteri dhe një garë kundër kohës — gjithçka që një blockbuster ka nevojë!