Goditje rekord për Google NGA BE
Written by radio wave on July 24, 2026
Google është përballur me një tjetër goditje të rëndë nga Bashkimi Evropian. Komisioni Evropian i ka vendosur kompanisë një gjobë prej 890 milionë eurosh, duke e akuzuar për shkelje të rregullave të konkurrencës në tregun digjital.
Sipas autoriteteve evropiane, kompania ka favorizuar shërbimet e veta në rezultatet e kërkimit, duke i dhënë përparësi platformave si Google Shopping, Google Hotels dhe Google Flights, ndërsa ka lënë në disavantazh konkurrentët dhe zhvilluesit e aplikacioneve.
Vendimi është marrë në kuadër të zbatimit të Aktit për Tregjet Digjitale (DMA), ligji i ri i Bashkimit Evropian që synon të frenojë praktikat antikonkurruese të kompanive më të mëdha të teknologjisë dhe të krijojë kushte më të barabarta në treg.
Kjo është një nga gjobat më të mëdha të vendosura ndaj Google në Evropë dhe sinjalizon se autoritetet evropiane po ashpërsojnë kontrollin ndaj gjigantëve të teknologjisë për mënyrën se si operojnë në tregun digjital.