Heshtje te X Media, ndjekësit kërkojnë përgjigje
Written by radio wave on July 10, 2026
Platforma online e krijuar nga vëllezërit Donald dhe Romeo Veshaj ka ndalur publikimet prej disa javësh, duke ngritur pikëpyetje mes ndjekësve për të ardhmen e saj.
Materiali i fundit i publikuar në X Media daton më 13 qershor, me episodin e emisionit “Më Lër Ta Mbaroj”. Në fund të programit, Donaldi kishte paralajmëruar rikthimin e emisionit në javën pasuese, por që nga ajo kohë nuk ka pasur episode të reja dhe asnjë njoftim zyrtar për arsyen e pauzës.
Mungesa e përmbajtjeve të reja ka bërë që publiku të nisë të pyesë nëse bëhet fjalë për një ndalesë të përkohshme apo për ndryshime më të mëdha brenda platformës.
Ndërkohë, sipas raportimeve të “Prive by Liberta Spahiu”, në X Media mund të kenë nisur ndryshime të brendshme në strukturën e stafit. Sipas këtyre raportimeve, disa anëtarë të ekipit nuk do të vazhdojnë të jenë pjesë e platformës, duke lënë të kuptohet se mund të ketë një proces riorganizimi.
Deri në këto momente, drejtuesit e X Media nuk kanë reaguar publikisht për situatën dhe nuk kanë dhënë detaje mbi planet e ardhshme të platformës.