Koncerti i Bad Bunny-t përfundon në kaos
Written by radio wave on July 23, 2026
Ajo që pritej të ishte një natë spektakolare për mijëra fansa të Bad Bunny-t në Milano u shndërrua në një situatë emergjente, pasi një stuhi e fortë me breshër ndërpreu koncertin dhe detyroi organizatorët ta anulonin përfundimisht.
Rreth 78 mijë spektatorë ishin mbledhur në hipodromin La Maura për koncertin e artistit portorikan, por reshjet intensive, era e fortë dhe vetëtimat e detyruan këngëtarin ta ndalte performancën që në këngën e shtatë. Në pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale, disa fansa shihen me lëndime në kokë, ndërsa të tjerë përpiqen të mbrohen nga breshëri duke përdorur çadra dhe pallto.
Përmes altoparlantëve, publikut iu kërkua të largohej menjëherë nga arena. Evakuimi zgjati rreth 50 minuta dhe u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, pa u raportuar incidente të rënda gjatë largimit të turmës.
Pas konsultimeve me autoritetet lokale, organizatorët vendosën që koncerti të mos zhvillohej në një datë tjetër. Të gjithë personat që kishin blerë bileta do të rimbursohen plotësisht.
Drejtori i LiveNation Italy, Roberto De Luca, e cilësoi ngjarjen si një nga situatat më të pazakonta që ka përjetuar në mbi katër dekada karrierë, duke falënderuar ekipet e sigurisë dhe publikun për reagimin e qetë gjatë emergjencës.
Ngjarja vjen në një moment kur moti ekstrem po prek disa vende të Evropës. Ndërsa Italia u përball me stuhi të forta, Spanja vijon betejën me zjarre masive dhe Franca mbetet në alarm për shkak të temperaturave që pritet të afrojnë 45 gradë Celsius.