Meksika e nis me spektakël Botërorin
Written by radio wave on June 12, 2026
Meksika ka bërë një start perfekt në Kupën e Botës 2026, duke marrë tri pikët e para përpara tifozëve të saj në stadiumin ikonik Azteca të Mexico City.
Skuadra vendase nuk humbi kohë për të treguar forcën e saj, teksa Julian Quiñones hyri në histori si autori i golit të parë të këtij edicioni të Botërorit. Sulmuesi realizoi që në minutat e para, duke ndezur festën në tribuna.
Më pas ishte radha e Raul Jimenez, i cili vulosi fitoren me golin e dytë, duke i dhënë qetësi “El Tricolor” për pjesën e mbetur të takimit. Meksikanët administruan avantazhin dhe e mbyllën sfidën me sukses.
Ndeshja u karakterizua edhe nga tensione në fushë, pasi arbitri nxori tre kartonë të kuq. Dy lojtarë të Afrikës së Jugut u larguan para kohe nga loja, ndërsa me të kuq u ndëshkua edhe një futbollist i Meksikës.
Me këtë fitore, Meksika hedh një hap të rëndësishëm drejt fazës me eliminim direkt dhe tashmë e kthen vëmendjen te përballja e radhës kundër Koresë së Jugut. Nga ana tjetër, Afrika e Jugut do të kërkojë reagimin ndaj Çekisë për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.